Zelensky: Ukraina kontrollon një zonë të madhe në Rusi
Ukraina ka bërë përparim të mëtejshëm në kundërsulmin e saj në rajonin Kursk të Rusisë, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky.
“Deri më sot, forcat tona kontrollojnë mbi 1250 kilometra katrorë të territorit armik dhe 92 vendbanime”, theksoi Zelensky gjatë një fjalimi para diplomatëve dhe zyrtarëve ukrainas.
Shifrat e Zelensky mbi fitimet territoriale tejkalojnë shumicën e vlerësimeve të mëparshme nga vëzhguesit ushtarakë dhe janë të vështira për t’u konfirmuar.
Shumica e ekspertëve pranojnë pasaktësinë e vlerësimeve të tyre për shkak të sasisë së kufizuar të materialit vizual.
Veçanërisht, forcat e armatosura të Ukrainës publikojnë shumë pak për të shmangur rrezikimin e përparimit të tyre.
Në fjalën e tij, Zelensky vuri në dukje se një objektiv kyç taktik, domethënë reduktimi i kërcënimit ndaj rajonit kufitar ukrainas të Sumy, ishte arritur me sukses. Ai gjithashtu theksoi se ofensiva kishte çuar në kapjen më të madhe të ushtarëve rusë që nga fillimi i luftës.
Zelensky tha se ”pritet që këta ushtarë të kapur të shkëmbehen me robër lufte ukrainas. /atsh/