Trump vazhdon me sulmet personale ndaj Harris: Jam më i pashëm se ajo
Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, ish-presidenti Donald Trump ka ndërmarrë sërish sulme personale ndaj rivales së tij demokrate, Kamala Harris. Fjalimin në një miting në Pensilvani, Trump e nisi duke fajësuar zëvendëspresidenten Harris për inflacionin shkatërrues, një nga çështjet kryesore të fushatës, por shumë shpejt doli nga skenari duke ironizuar të qeshurën e Harris dhe duke e quajtur “komuniste dhe të çmendur”.
“Njerëzit më thonë të jem i sjellshëm. A e keni dëgjuar të qeshë? Ka të qeshurën e një të çmendure. E keni dëgjuar? E dini që e kanë ndaluar të qeshë. Por është mësuar… Kush dreqin qesh në intervistë si ajo? Thjesht shpërthen. Kjo është një arsyet se përse ajo refuzon të intervistohet. Është kaq e tmerrshme. Tani ecën me gojën e mbyllur, por unë dua që ajo të qeshë dhe ne të fitojmë”, tha Trump.
Ai gjithashtu kritikoi një portret të Harris në kopertinën e revistës “Time”, ndërsa sugjeroi se ishte më i pashëm se rivalja e tij.
“Në revistën time nuk ka foto të saj, por ka një artist që e ka vizatuar. Kur e pashë thashë kush është kjo? Sofia Loren apo Elizabet Tejlor. Thonë se është e bukur. Kush është e bukur? Është thjeshtë një vizatim. I bënë shumë foto dhe nuk funksionoi. Pastaj morën një artist për ta vizatuar. Thanë që ka një avantazh. Që është grua e bukur. Nuk them, por jam shumë më pashëm si ajo. Jam shumë më i bukur”, u shpreh ai.
Prej kohësh, anëtarët e partisë së tij republikane, i kanë kërkuar Trump që në fushatën e tij të mos sulmojë Harris në nivel personal, pasi sipas tyre këto sulme kanë favorizuar avancimin e demokrates në sondazhet më të fundit. /rtsh/