Policët s’kanë të drejtë të bartin armët e gjata jashtë detyrës zyrtare
Zyrtari policor i cili dyshohet se vrau 89-vjeçarin mbrëmjen e kaluar në Ferizaj, përdori armën e gjatë zyrtare, ani pse e njëjta është e ndaluar të përdoret jashtë orarit zyrtar të punës.
Sipas njohëse të fushës, kjo është e ndaluar me ligj dhe se IPK duhet të zhvillojë më shumë inspektime
Armën e gjatë që zyrtari policor Festim Ramadani e kishte në dispozicion për detyrën e tij zyrtare, dyshohet se e përdori për të kryer vrasjen e 89-vjeçarit mbrëmë në Ferizaj.
Këtë armë të gjatë, Ramadani që është pjesë e njësisë së Patrullimit, ndonëse ishte jashtë detyrës zyrtare, dyshohet se e mori me vete natën kritike.
Por, sipas ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës, zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë të drejtë të bartin armën e gjatë jashtë orarit të punës.
“Jashtë detyrës zyrtare, zyrtarët policor nuk kanë të drejtë të bartin armët e gjatë pasi kanë revolen, atë mund ta bartin. Por jo të gjatat, është e ndaluar. Nëse ndodh diçka e i keqpërdorin, përgjegjësinë e mbajnë vet. Sa kam qenë në punë, raste të tilla janë të minimizuara”, ka thënë Refki Morina, Ish-kolonel në Policinë e Kosovës.
Ligji për Policinë, u lejon zyrtarëve policorë të posedojnë dhe të bartin me vete kurdo vetëm revolen.
E, njëjta gjë nuk vlen për armët e gjata.
E, sipas ish-kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Valdet Hoxha, duhet të bëhen më shumë inspektime rreth formave të bartjes së armëve nga policët.
“Duhet të ketë një inspektim nga Inspektorati i Policisë së Kosovës përmes Departamentit për Inspektim rreth mënyrës së përdorimit, vendosjes, bartjes dhe përdorimit të këtyre armëve të gjata nga ana e zyrtarëve policor”, ka thënë Valdet Hoxha, Ish-kryeshef i IPK-së.
Sipas ligjit të armëve, armë e gjatë konsiderohet secila armë me tytë më të gjatë se 30 cm apo gjatësia e gjithmbarshme e secilës është më e madhe sesa 60cm.
Nga janari i këtij viti, të gjitha njësitë patrulluese të Policisë janë pajisur me armë të gjata. Ato janë blerë nga Qeveria e Kosovës nga një kompani kroate. /dukagjini