Blinken në Izrael për të nxitur marrëveshjen e armëpushimit për Gazën
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë Izraelin, ndërsa negociatat për një armëpushim në konfliktin e Gazës po arrijnë një fazë kritike.
“Blinken planifikon të jetë sot atje për të vazhduar përpjekjet intensive diplomatike në terren në Izrael”, njoftoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.
“Sekretari Blinken do të nënvizojë nevojën e madhe për të gjitha palët në rajon për të shmangur përshkallëzimin ose çdo veprim tjetër që mund të minojë aftësinë për të finalizuar një marrëveshje”, tha zëdhënësi.
Negociatat u shtynë dje për javën e ardhshme.
Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara nuk arritën një përparim me Izraelin dhe lëvizjen islamike palestineze Hamas.
Sipas një deklarate të përbashkët, bisedimet dyditore në kryeqytetin e Katarit, Doha, ishin konstruktive.
Një tjetër takim i nivelit të lartë është planifikuar të zhvillohet në Kajro para fundit të javës së ardhshme.
Qeveria amerikane shpreh besimin në negociatat për armëpushim në konfliktin e Gazës dhe në të njëjtën kohë kërkon gatishmëri për kompromis.
Sipas tre ndërmjetësuesve, ka një propozim që synon të mbushë boshllëqet e mbetura.
Kjo është në përputhje me parimet e planit të paqes të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden në fund të majit. /atsh/