E konfirmon kryeshefi i IPK-së: I dyshuari për vrasjen në Ferizaj është zyrtar policor
Kushtrim Hodaj, kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK), ka konfirmuar se i dyshuari për vrasjen e ndodhur në Ferizaj është një zyrtar policor nga Stacioni Policor i Ferizajt.
Hodaj ka njoftuar se ekipet e IPK-së janë mobilizuar dhe janë nisur për në vendngjarje për të hetuar rastin.
“Po mund të konfirmojmë se i dyshuari për vrasjen është zyrtar policor nga Stacioni Policor i Ferizajt. Ekipet e IPK-së janë njoftuar dhe janë nisur për vendngjarje”, ka deklaruar Hodaj për Dukagjinin.
Vrasjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Ferizajn, Qazim Reka, i cili ka thënë se ngjarja ka ndodhur jashtë një restoranti në fshatin Bibaj të Ferizajt.
“Rasti ka ndodhur jashtë restorantit në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku është vrarë një person, për informacione të tjera do të njoftoheni me kohë”, ka njoftuar Reka.