BE-ja kritikon Serbinë për bashkëpunimin me Rusinë
Bashkimi Evropian i tha Serbisë se mbajtja e raporteve me Rusinë në kohën kur Moska po vazhdon agresionin kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e bllokut dhe procesin e anëtarësimit.
Ky reagim i Brukselit pason një takim mes zëvendëskryeministrit serb, Aleksadnar Vulin, me zyrtarët e Kremlinit në Moskë dhe pretendimeve për bashkëpunim të inteligjencës me Rusinë.
“BE-ja ka qenë e qartë me partnerët tanë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuara dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha blloku evropian në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë më 15 gusht.
Nga BE-ja thanë po ashtu se “duam që të gjitha shtetet kandidate t’i konsiderojmë si partnere të besueshme evropiane me parime të përbashkëta, vlera, siguri dhe prosperitet”.