Marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët do të monitorojë UNHCR
Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR), njoftoi këtë të enjte se kishte rënë dakord për të monitoruar tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes për emigrantët mes vendit tonë dhe Italisë.
Njoftimi për të vëzhguar sesi marrëveshja do të zbatohet në terren, vjen pasi UNHCR shprehu shqetësime të shumta lidhur me marrëveshjen e Italisë për të shqyrtuar kërkesat e azilit për emigrantët e parregullt në Shqipëri.
Agjencia theksoi se kishte rënë dakord të monitorojë zbatimin, në mënyrë që të ndihmojë “në respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të personave që janë subjekt” i marrëveshjes.
UNHCR tha se do të këshillojë emigrantët për të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe do të sigurohet që procedurat që do të përdoren të jenë “në vijë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut, të jenë të drejta dhe të ofrojnë mbrojtje dhe zgjidhje për ata që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”.
Sipas marrëveshjes pesëvjeçare të arritur mes kryeministrit Rama dhe homologes italiane Meloni, vendi ynë do të strehojë emigrantë që do të shpëtohen në det, teksa Italia me procedurë të përshpejtuar do të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.
Dy qendrat që tashmë kanë përfunduar së ndërtuari, do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, dhe mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga shteti fqinj përmes detit. /rtsh/