`Kohë e Prerë’ sjellë relacionet e Ukshin Hotit me figurat e shquara
Profesori Rexhep Hoti ka publikuar romanin historik e autobiografik “Kohë e Prerë”, i cili sjellë rrëfime me personalitete e figura të shquara të vendit.
Relacionet e Ukshin Hotit me Ismail Kadarenë,Ibrahim Rugovën, Mahmut Bakallin e Edi Shukriun, vijnë të përmbledhura në veprën e botuar nga shtëpia botuese “Toena”.
“Romani i Rexhep Hotit ‘Kohë e prerë’ është shkruar me kulturë dhe një fill, i cili përshkruan një nga formatet më të lartë të letërsisë. Tonet autobiografike janë një tjetër pasuri gjuhësore dhe historike e këtij romani. Rexhep Hoti i përket një brezi iluministësh, që i kanë dhënë aq shumë Kosovës e për të cilët Kosova do të ketë gjithmonë nevojë”, është shënimi i shkrimtarit tashmë të ndjerë, Ismail Kadare, në pasthënien e veprës.
Ndërkaq shkrimtarja tjetër, gruaja e kolosit, Helena Kadare e ka cilësuar veprën si jetësues të figurës së Ukshin Hotit nëpërmjet letërsisë artistike.
“Duke lexuar romanin e Rexhepit do të endesha në një kronikë të shkruar plot kulturë e stil, me një poetikë të natyrshme për një prozator që vjen nga poezi, që të bënte të jetoje atë që është aq me vlerë në një vepër: kënaqësia e leximit dhe kodi i saj suprem. Duke e sjellë si një personazh letrar, ai i jep Ukshinit me këtë libër një tjetër jetë që është jeta që të jep letërsia artistike…”, ka shkruar Helena Kadare. /rtk