Furnizimi me libra shkollor sërish me subvencionim të prindërve
Edhe sivjet nxënësit do të furnizohen me librat shkollor nëpërmjet subvencionimit të prindërve nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Kështu ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka njoftuar se për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën vlen shuma prej 80 euro. Ndërkaq nga klasa e gjashtë deri në të nëntën do të subvencionohen deri në 110 euro.
“Aplikimin për subvencionime prindërit mund ta bëjnë që nesër në E-Kosova, të gjithë prindërit që i kanë hapur vitin e kaluar llogaritë tani e kanë më lehtë. Nesër do të lansojmë një video për të treguar procedurat e aplikimit për subvencionim”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka bërë të ditur se sivjet janë 218,696 nxënës nga klasa e parë deri në të pestën, raporton rtk.