Superliga kthehet sot me dy superduele
Sot (e shtunë), 10 gusht, fillon edicioni i ri 2024/25 në Albi Mall Superligën e Kosovës dhe gjatë ditës do të zhvillohen dy ndeshje interesante.
Pritjes i erdhi fundit. Superliga e Kosovës është gati të hap siparin përsëri për një edicion tjetër interesant, sikurse ai i fundit.
Kështu, 10 skuadra me objektiva të ndryshme janë gati ta thonë fjalën e tyre në këtë edicion në kërkim të rezultateve më të mira.
Sot (e shtunë) janë në orar për t’u zhvilluar dy ndeshjet e para të xhiros së parë, ku vëmendja padyshim se do të jetë në Podujevë.
Në stadiumin “Zahir Pajaziti”, nën-kampioni i edicionit të kaluar, Llapi e pret Gjilanin, një skuadër e përforcuar dukshëm dhe me trajner të ri.
Ndeshja tjetër e ditës së sotme pritet të zhvillohet në Ferizaj, ku ekipi me emrin e qytetit, i rikthyer në Superligë, është nikoqir i Feronikelit ’74.
Të dy këto ndeshje janë paraparë të fillojnë nga ora 17:00.
Gjatë ditës së nesërme zhvillohen edhe dy ndeshje: Ballkani-Dukagjini nga ora 17:00 dhe Prishtina-Suhareka nga ora 19:00, ndërsa ndeshja Drita-Malisheva është shtyrë shkaku i angazhimit të gjilanasve në garat evropiane.