Gjimshiti beson: Çekia e fortë, por ia dalim
Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, bashkë me trajnerin Silvinjo, ka dalë gjatë ditës së sotme në një konferencë për shtyp duke komentuar në funksion të sfidës me Çekinë, e cila do të luhet më 7 shtator, ora 20:45, në “Fortuna Arena”.
Vlerësim maksimal për kundërshtarin, por dhe optimizëm në arritjen e një rezultati pozitiv në këtë sfidë.
“Mund t’ia dalim me Çekinë. Jemi një grup me më shumë eksperiencë, me lojtarë të rinj që japin shumë. Kush nuk beson, gabon që luan në këto ndeshje. Gjithmonë vendimtare janë tri pikët. Janë pesë ndeshje deri në fund ku duhet të japim maksimumin, më pas të shikojmë se ku do të renditemi”.
“Kemi shumë punë në luftën në ajër? Është e vërtetë, Çekia ka lojtarë shtatlartë. Ne do të mendojmë të bëjmë lojën tonë, të bëjmë kujdes në lojën në ajër. Nuk është vetëm lartësia që ndryshon lojën, duhet shumë besim”.
“Motivimi? Nuk mund të them se motivimin e kam më të madh se të tjerët që janë këtu. Në Kombëtare jam gjithmonë i motivuar. Shpresoj që të kualifikohemi në Europian. Edhe atëherë kur u kualifikuam kam luajtur, por nuk u grumbullova më pas. Janë gjëra që mund ti arrijmë dhe që mbeten në histori”.
“Te Çekia mungon Patrik Shik? Forca e skuadrës nuk është individualiteti. Është ekipi që ka një forcë të madhe, me lojtarë që luajnë në skuadra të njohura. E njoh Patrik, është një lojtar shumë i fortë dhe besoj se do të rikthehet akoma më i fortë. Por Çekia mbetet e fortë dhe favorite”.