Reagon AGK: Janë shfaqur foto-montazhe të rrezikshme me foto të gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar të enjten pasi një sërë foto-montazhesh janë shfaqur në mediet sociale, në të cilat shihen fytyra e disa prej gazetarëve kosovarë dhe medieve sociale vendore.
“Disa prej gazetarëve të atakuar nga këto foto-montazhe janë: Vehbi Kajtazi, Valon Syla, Berat Buzhala, dhe të tjerë. Në to, zakonisht është përdorur rrejshëm logoja e medies së pavarur serbe nga Mitrovica Veriore, Kossev. Ndërkohë, linqet e supozuara të lajmit përfshijnë edhe disa medie vendore si Zëri, Telegrafi, Kosova Sot, dhe të ngjashme”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ky asociacion e sheh këtë fushatë si “ekstremisht të rrezikshme për gazetarët dhe mediet, dhe fton Policinë e Kosovës me Njësitin Kibernetnik, që urgjentisht të hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe të parandalojë vazhdimin e publikimit të tyre”.