Kurti për incidentin e Osmanit në Aeroportin e Shkupit: Ka qenë përjetim i rëndë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka pritur sot në takim homologu i tij kosovar, Albin Kurti.
Ky i fundit tha se takimi me homologun maqedonas, ishte “i hapur, i sinqertë dhe serioz”.
Kjo vizitë në Shkup e Kurtit, së bashku me një delegacion ministrash, u zhvillua në kohën kur raportet u acaruan për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit.
Kurti tha se gjatë takimit, autoritetet maqedonase shprehën sërish keqardhje për ngjarjen ku u përfshi Osmani.
“Ka qenë përvojë dhe përjetim i rëndë i presidentes Osmani më 1 gusht, aq më tepër që ishte me dy vajzat e vogla”, tha Kurti.
Ai tha se po pret një raport, pas hetimit zyrtar, që do të zbardhë të gjithë atë që ka ndodhur.
“Do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten më kurrë situata të tilla”, tha ai.
Kryeminsitri kosovar u pyet nëse Kosova mban qëndrimin se kjo ngjarje ishte provokim. Por, Kurti tha se nuk e di që institucionet kanë pasur një qëndrim të tillë dhe këtë mund ta ketë thënë ndonjë “qytetar”, por jo edhe institucionet e Kosovës, duke theksuar se Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës përmes njoftimeve, ka shprehur qëndrimin e Qeverisë.