Sulmet ajrore izraelite vrasin 18 vetë në Gazë, një palestinez vret me thikë 2 persona në Tel Aviv
Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 18 njerëz në Gazë, përfshirë katër prej tyre që ishin strehuar në një kamp tende që strehonte njerëz të zhvendosur brenda një kompleksi spitalor. Ndërsa, një palestinez vrau me thikë 2 persona në periferi të Tel Avivit.
Tensionet janë rritur pas gati 10 muajve të luftës në Gazë dhe vrasjes së dy militantëve të lartë në sulme të veçanta në Liban dhe Iran javën e kaluar.
Vrasjet sollën kërcënime nga Irani dhe aleatët e tij dhe ngritën frikën e një lufte rajonale edhe më shkatërruese.
Një grua rreth të 70-tave dhe një burrë 80-vjeçar u vranë në sulmin me thikë, sipas shërbimit të shpëtimit të Izraelit Magen David Adom dhe një spitali aty pranë, dhe dy burra të tjerë mbetën të plagosur.
Policia tha se sulmi u krye nga një militant palestinez, i cili u “neutralizua” dhe filloi një kërkim për të dyshuar të tjerë të mundshëm. Më vonë ata përjashtuan mundësinë që dikush tjetër të ishte i përfshirë.
Izraeli është përgatitur për hakmarrje pas vrasjes së një komandanti të lartë të Hezbollahut në një sulm në Liban dhe udhëheqësit më të lartë politik të Hamasit në një sulm në kryeqytetin e Iranit javën e kaluar. /rtsh