Reagon Luiza Gega: Ky eliminim dhemb shumë
Atletja shqiptare Luiza Gega përmes rrjete sociale, ka folur pas eliminimit nga Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’.
Gega garoi në baterinë e dytë, por nuk arriti që të japë më të mirën e saj dhe nuk ka mundur që të kualifikohet për në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa për femra.
Atletja kuqezi mbylli garën me kohën 9.27.41 dhe u rendit në vendin e 9-të në baterinë e dytë.
Ajo thotë se është vështirë të flasësh kur ndihesh e dështuar. Ajo thotë se ky eliminim dhemb shumë.
“Është kaq vështirë të gjesh fjalë kur ndihesh totalisht e dështuar dhe në fakt në këto momente e tillë ndihem”, tha Gega.
“E di që do kaloj, çdo gjë kalon më kohën por në këtë moment dhemb shumë sepse vërtet jam munduar dhe ëndërruar që do ja dal pavarësisht se gjerat që në muajin prill nuk shkuan mirë”.
“Gjithsesi përsëri përpiqesha fort çdo ditë edhe përse me shumë stres nga ndjesitë jo të mira të trupit tim përsëri rrija me shpresën që do e përballoja një garë të niveli por në fakt nuk ndodhi kështu”, ka pohuar ajo.
Gega i ka kërkuar falje çdo fansi që ka besuar tek ajo.
“Dua vërtet t’i kërkoj falje kujtdo që besoi të unë dhe e zhgënjeva dhe falënderoj të gjithë ata që më mbështesin si në ditë të mira qoftë dhe të vështira. Ëndrra e Parisit mbyllet sot”, ka shkruar atletja shqiptare.