Biden i kërkon Netanyahut të pranojë armëpushimin në një thirrje shumë të drejtpërdrejtë

Biden i kërkon Netanyahut të pranojë armëpushimin në një thirrje shumë të drejtpërdrejtë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të binte dakord për një armëpushim me Hamasin – ndërsa zhgënjimet e Shtëpisë së Bardhë për vazhdimin e luftës në Gaza rriten.

“Dy krerët – marrëdhëniet e të cilëve janë tensionuar nga konflikti – zhvilluan dje në mbrëmje një bisedë telefonike”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Ndërsa Biden u zotua të mbështesë Izraelin kundër kërcënimeve të reja nga Irani dhe milicitë aleate si Hezbollahu, ai tha se ishte “shumë i drejtpërdrejtë” me Netanyahun – pas vrasjes së liderit të lartë të Hamasit dhe një komandanti ushtarak të Hezbollahut.

“Vrasja e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran “nuk ka ndihmuar” për mundësinë e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë”, tha Biden.

“Ne kemi hedhur bazat për një armëpushim. Te dyja pale duhet te angazhohen”, tha presidenti amerikan.

Ai shprehu gjithashtu shqetësim të madh për tensionet që po përshkallëzohen në Lindjen e Mesme, pasi Irani u zotua të hakmerret.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë”, tha Biden, duke shtuar se ai dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris kishin diskutuar për këtë çështje me Netanyahun.

“Gjatë bisedës telefonike të dy liderët trajtuan gjithashtu ndihmën e re ushtarake të SHBA-së për Izraelin – për të ndihmuar në shmangien e sulmeve me dronë dhe raketa”, tha Shtëpia e Bardhë.

Izraeli vrau komandantin e lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr, të martën në Bejrut.

Disa orë më vonë, Haniyeh u vra në një sulm në kryeqytetin iranian, Teheran.

Irani dhe Hamasi akuzuan Izraelin për vrasjen e Haniyeh dhe kërcënuan se do të hakmerren.

Qeveria izraelite nuk ka komentuar ende, por frika po rritet për një sulm potencialisht të madh dhe të koordinuar ndaj Izraelit nga Irani, Hezbollahu dhe milicitë e tjera aleate në rajon. /atsh

Share This