Osmani: Data e zgjedhjeve të rregullta do të shpallet pas disa analizave
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, pas takimit me kryetarët të partive politike, në një konferencë për media tha se ende nuk dihet data e zgjedhjeve dhe ajo të caktohet pas analizave të të gjitha datave.
Ajo ka thënë se partitë patën preferenca të ndryshme mes datave 26 janar – 16 shkurt. Sa i përket mungesës së kryeministrit Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ajo tha se nuk i di arsyet, por u sugjeroi gazetarëve që për këtë çështje ta pyesin vetë Kurtin.
“Siç e dini të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh. Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca ka shprehur gatishmëri të plotë të vijë në takim, por meqenëse ftesa për partitë kanë qenë vetëm në nivel kryetarësh, e kemi mbajtur parimin për të gjithë dhe Konjufca me mirëkuptim e ka zbatuar këtë”, ka thënë Osmani.
Sa i përket datës së zgjedhjeve, presidentja ka thënë se ende nuk ka një datë, pasi janë në fazën e konsultimeve dhe analizave të datave. “Sipas ligjit janë katër data të mundshme për zgjedhje. E para 26 janari, pastaj 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti. Prandaj edhe diskutimi ishte në kontekst të këtyre katër datave. Nuk kishte insistim të tepërt, kishte preferenca sepse nuk kishte dallim të madh. Jemi ende brenda afatit të konsultimeve. Megjithëse nga partitë prezente nuk kishte kërkesë për konsultime shtesë u pajtuam, që si Presidencë, si institucion që bën shpalljen e datës së zgjedhjeve, ta bëjmë analizën e të gjitha datave dhe elementet përkatëse që mund të jenë me rëndësi për qytetarët e Kosovës dhe ta bëjmë publike datën e zgjedhjeve. Pas disa analizave që do të bëjmë, do ta shpallim datën e zgjedhjeve”, ka thënë Osmani.
Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, e para e shtetit ka thënë se ligjërisht akoma ekziston një mundësi e tillë.
“Pra caktimi i datës së zgjedhjeve të rregullta ligjërisht nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, shpërndarja e Kuvendit kërkon 2/3 e votave dhe se a kanë disponim partitë politike ta bëjnë një shumicë të tillë apo jo është çështje e tyre. Sot nuk u duk një disponim i tillë, mirëpo në qoftë se diçka ndryshon ndërkohë do ta kuptojmë të gjithë”, ka shtuar Osmani.
Ajo tutje ka thënë se në rast të shpërndarjes së Kuvendit, afati është shumë më i shkurtër, ndërmjet 30 deri 45 ditë, por sipas saj nuk po shihet në horizont për momentin një mundësi e tillë.
“Nuk mund ta përjashtoj unë një mundësi të tillë, sepse është në vullnet të partive politike jo të presidentes. Për momentin përgatitjet po i bëjmë për zgjedhje të rregullta. Afatet janë të qarta dhe jepet mjaftueshëm kohë. Sa më herët që qytetarët e dinë se kur do të mbahen zgjedhjet aq më lehtë bëhen planifikimet”, ka nënvizuar Osmani. /rtk