Irani zotohet të hakmerret ndaj Izraelit për vrasjen e udhëheqësit të lartë të Hamasit
Irani dhe aleatët e tij thanë se Izraeli do të përballet me një hakmarrje të ashpër për vrasjen e liderit të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran – një sulm që ka rritur në mënyrë dramatike tensionet në rajon.
“Regjimi kriminal sionist ka vrarë mysafirin tonë në shtëpinë tonë”, tha lideri suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei. “Do të ketë një dënim të ashpër”, shtoi ai.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe Hamasi konfirmuan vdekjen e Haniyeh në një rezidencë ku ai po qëndronte në Teheran.
Sulmi ndodhi disa orë pasi ai mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të vendit, Masoud Pezeshkian. Ai ishte takuar edhe me Khamenein.
Media shtetërore iraniane tha se Haniyeh, i cili ishte i vendosur në Katar dhe kishte udhëhequr operacionet politike të grupit militant palestinez për vite, u godit “nga një objekt nga ajri” në orën 2 të mëngjesit.
Ky ishte një akt frikacak dhe përgjegjësit patjetër do të marrin një përgjigje të duhur”, tha zëdhënësi i këshillit Ebrahim Rezaei.
Ushtria izraelite nuk e ka komentuar atentatin, megjithëse politikanët izraelitë e kanë mirëpritur vdekjen e tij. /atsh