Ferizaj, nis zbatimin e planit të veprimit ‘Motoçikleta 2024’
Policët e Komunikacionit Rrugor dhe policët e stacionit të Ferizajt kanë zbatuar planin e veprimit ” Motoçikleta 2024″.
Përmes një komunikate për medie e Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale Ferizaj, bën të ditur se gjatë patrullimeve dhe pikave të kontrollit policia ka ndaluar disa persona, të cilët po drejtonin motoçikletat dhe skuterët në kundërshtim me rregullat e trafikut.
“Sot gjatë ditës në Ferizaj janë shqiptuar 61 gjoba për kundërvajtje të ndryshme të shkaktuara në komunikacion, ndërsa janë konfiskuar edhe 27 motoçikleta dhe skuterë ndaj drejtuesve, të cilët nuk kanë poseduar dokumentacion të rregullt. Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në komunikacionin rrugor, me synim parandalimin e aksidenteve dhe apelojmë tek drejtuesit e motoçikletave që të bëjnë kujdes në komunikacion, të mos drejtojnë motoçikletat dhe skuterët në kundërshtim me rregullat e komunikacionit rrugor dhe të pajisen me dokumentacion të nevojshëm”, thuhet në komunikatë, raporton rtk.
Me këtë rast Policia Rajonale e Ferizajt falënderon qytetarët për bashkëpunim, ndërsa inkurajon edhe të tjerët që të bashkëpunojnë më policinë.