Ikja e mjekëve, opozita e sheh alarmuese situatën, kërkon veprim nga Qeveria: Kosova mund të mbetet pa mjekë
Po vazhdon ikja e mjekëve nga Kosova.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, 61 mjekë janë larguar nga Kosova.
Këtë dukuri po e sheh shqetësuese opozita.
Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, thotë për Gazeta Blic se Ministria e Shëndetësisë s’ka ndërmarrë asnjë veprim për ta parandaluar këtë dukuri.
Ai thotë se nëse nuk ndërmerret diçka, Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë e infermierë.
“MSH deri sot nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e kësaj dukurie. Migrimi është plagë e hapur dhe shumë e rrezikshme për vendin. Nëse nuk ndërmerret diçka, shpejt Kosova do të ketë problem për mjekë dhe infermierë”, vlerëson ai.
Sipas deputetit, shkaqet janë të shumta dhe për këtë dukuri duhet të veprojë Qeveria.
“Shkaqet e migrimit, të listuara nga mjekët në ikje ndërlidhen me pagë, kushte pune dhe punësim. Këtu do të duhet të veprojë një qeveri e përgjegjshme”, deklaron deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Shqetësuese dhe alarmuese këtë trend të ikjes së mjekëve po e sheh edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ai thotë se me të duhet të merren të gjithë mekanizmat shtetëror të shëndetësisë.
“Ikja e mjekëve dhe stafit shëndetësor është në nivele shumë të larta, dhe kjo është më tepër se shqetësim, tani kjo është një alarm i madh me të cilën duhet të merren të gjithë mekanizmat shtetëror të shëndetësisë dhe pjesë jo një problem i tillë të ngritët në nivel qeverie”, shprehet ai.
Deputeti vlerëson se duhet të jetë top prioritet zgjidhja e këtij problemi, nga rritja e pagave e rregullimi i kushteve të punës, deri te ligjet më të avancuara, pasi sipas tij ekziston rreziku i kolapsimit të sistemit shëndetësor.
“Zgjidhja e këtij problem duhet të kthehet në top prioritet, që nga rritja e pagave, rregullimi i kushteve të punës e deri tek krijimi i një ambienti miqësor në punë, ligje me të avancuara dhe sistem shëndetësor që vlerëson punën e secilit sipas performacës, përndryshe sistemi i shëndetësisë rrezikon të kolapsojë”, thekson Zemaj.
Ai shton se fajtore për ikjen e mjekëve është qeveria aktuale që nuk ka bërë asnjë hap për adresimin e kësaj çështje, madje thekson se ajo po e stimulon ikjen e tyre.
“Duhet përmendur faktin se përgjegjësinë kryesore për ikjen e mjekëve e ka qeveria aktuale që nuk bëri as edhe një hap të vetëm për ta adresuar këtë çështje, përkundrazi e stimuloi ikjen e tyre me politika të mbrapshta, e pa vizion, me gjueti shtrigash e degradim të shëndetësisë në të gjitha nivelet”, deklaron deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.