Bajrami: Jemi gati, duam tri pikët ndaj Çekisë
Mesfushori Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, në një konferencë për media, ka folur para ndeshjeve me Çekinë dhe Poloninën, duele këto që luhen në kuadër të kualifikueseve për EURO 2024.
Shqipëria më 7 shtator luan në udhëtim tek Çekia, derisa tri ditë më vonë në ‘Air Albania’ pret Poloninë.
Për mesfushorin e Sassuolos, sfidat me Republikën Çeke dhe me Poloninë janë shumë të rëndësishme. Ai është i bindur se të gjithë lojtarët kuqezi janë gati për duelin me çekët dhe polakët.
“Me Çekinë kemi një ndeshje shumë të vështirë, është një kundërshtar fizikisht i fortë. Po e përgatisim ndeshjen shumë mirë, jemi të gjithë gati dhe do japim maksimumin”, ka thënë Bajrami.
Ai ka lavdëruar punën që bën trajneri brazilian tek Kombëtarja shqiptare. Bajrami thotë se ndihet shumë i lumtur që i është bashkuar skuadrës shqiptare.
“Sylvinho më ka ndihmuar shumë, mentalisht dhe jam shumë i lumtur që ka ardhur këtu. Me rëndësi është që ndaj Çekisë të marrim tri pikë”, ka theksuar Bajrami.