Ripërserit Daçiq: Është i pamundur ekstradimi i Radoiçiqit, Serbia nuk e njeh Kosovën

Ripërserit Daçiq: Është i pamundur ekstradimi i Radoiçiqit, Serbia nuk e njeh Kosovën

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, është përgjigjur kërkesës së Kosovës për ekstradimin e terroristit, Milan Radoiçiq.

Të entjen para gazetarëve, Daçiq tha se Serbia nuk ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me Kosovën, dhe për këtë arsye është e pamundur të merret parasysh kërkesa për ekstradim.

“Nuk e di nëse e kuptoni se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe kjo është absolutisht e pamundur. Ne nuk kemi marrëdhënie të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Kosovës. Çdo gjë që bëjmë, e bëjmë me EULEX-in dhe kështu kemi marrë dhe kemi kërkuar formularë për atë proces. Asnjë ekstradim brenda Serbisë nuk është i mundur”, tha Daçiq.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator të 2023-ës, Radoiçiq tha se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.

Ai e mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në këtë sulm.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet.

Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse udhëheqjen shtetërore të Serbisë për sulmin që nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa Serbia e mohoi përfshirjen dhe drejtoi gishtin kah serbët e Kosovës.

INTERPOL-i ka lëshuar urdhër për arrestimin e Radoiçiqit. /ballkani.info/

Share This