Kroacia shpall “non grata” tre politikanë nga Mali i Zi

Kroacia shpall “non grata” tre politikanë nga Mali i Zi

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë njoftoi të enjten Malin e Zi përmes ambasadës së vendit në Zagreb se ka shpallur kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiç, deputetin Millan Knezheviç dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiç, persona të padëshirueshëm.

Mandiç dhe Knezheviç udhëheqin dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus, ndërksa Beçiç është udhëheqës i demokratëve.

Zagrebi zyrtar shpjegoi se vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer vazhdimisht veprime për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe kanë abuzuar me përmendjen e Kroacisë për qëllime të brendshme politike.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian,” shpjegohet në njoftim.

Gjatë kësaj jave, Fronti Demokratik u bë pjesë e qeverisë së Malit të Zi, e udhëhequr nga kryeministri Millojko Spajiç. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë u shpreh e shqetësuar për hyrjen e Frontit Demokratik në ekzekutiv.

Shpallja e tre politikanëve si të padëshiruar vjen pasi, me nismë tç Mandiçit dhe Knezheviçit, më 28 qershor shumica parlamentare në Mal të Zi miratoi Rezolutën për gjenocidin në Jasenovac, që qeveria kroate e konsideron krim të Luftës së Dytë Botërore. /rtsh/

Share This