Asist në miqësore, Broja rrit kuotat te Chelsea
Armando Broja protagonist me Chelsea-n.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare është në udhëkryqin e merkatos këtë vere, në përfundim të sezonit të kaluar largimi i tij nga Chelsea jepej shumë i mundur nga mediat angleze, por grumbullimi i futbollistit shqiptar nga trajneri i bluve Enzo Maresca në turneun para sezonal në SHBA, është një sinjal se Broja mund të fitojë kuota për të qëndruar.
Sulmuesi i kombëtares u hodh në fushë në pjesën e dytë në miqësoren e bluve me Wrexham në miqësoren e luajtur në Santa Clara të Kalifornisë, me Brojën që la shenjën e tij në këtë takim, edhe pse u shërbye shumë pak, nga shokët e skuadrës.
22-vjeçari në minutën e 82 mori një top në zonë, e mbrojti mirë mes dy kundërshtarëve duke zgjedhur në vend të një iniciative personale një pasim për shokun e skuadrës Ugochukwu që nuk mund të gabonte për golin e 2-2, që ishte dhe rezultati final i takimit.
Një asist që, pa dyshim, ka rritur kuotat e Brojës në sytë e trajnerit Maresca, ndërkohë që sulmuesi kuqezi nuk jepet më në listën e lojtarëve me valixhet në duar nga mediat angleze, edhe pse interesimi për të nuk ka munguar.
Gjatë javëve të fundit, emri i tij është përmendur në lidhje me disa skuadra duke nisur nga Milani në Serie A, finalistët e Champions League Borussia Dortmund si dhe disa skuadra të Premier League. /SS/