BE njohu pasaportat ilegale, Haziri: Kurti tetë herë veproi pa koordinim, ja si po i kthehet tash
Bashkimi Evropian ka marrë vendim që të njohë edhe pasaportat e lëshuara nga institucionet e Serbisë dhe kësisoj t’ua mundësojë lëvizjen e lirë në Zonën Schengen edhe serbëve të Kosovës që janë të pajisur me një dokumentacion të tillë, të njohur edhe si “koordinacija”.
Lidhur me këtë veprim të Brukselit zyrtar dhe rreth asaj se çka nënkupton kjo për shtetësinë e Kosovës, në një prononcim për Express ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Haziri thotë se kjo është një kundërpërgjigje që po e merr Qeveria Kurti për tetë rastet kur ka vepruar pa koordinim dhe me arsyetimin se po e shtrinë sovranitetin në Veri të Kosovës.
“Lidhur me heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta ilegale, kështu është kur vepron njëanshëm në tetë rast kinse për qëllime sovraniste dhe dërgon “kërcënime” për pakicat se edhe pensionet ua kanë rrezikuar e ndihmat sociale, ja si të kthehet tash”, ka thënë Haziri për Express.
Numri dy i LDK-së thotë se dështimi i politikës kosovare çdo ditë po e barazon Kosovën dhe Serbinë në të keqën e saj.
Në fund Haziri thotë se tashmë Kosova ka raporte të kushtëzuara, masa ndëshkuese, sekuencimin dhe se dy aplikacione të Kosovës ende janë të mbyllura.
Për njohjen e pasaportave ilegale të lëshuara nga institucionet paralel ka ngritur shqetësime edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila një çështje të tillë e ka adresuar edhe në takimin me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.
Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schëarz, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën ka qenë e ashpër me BE-në, duke thënë se një vendim i tillë çon në rrugë të gabuar. Ajo ka thënë se duket që në BE ka akterë të cilët s’dëshirojnë integrimin e pakicave, por ndarjen e tyre.
“Sa i përket çështjes së pasaportave që s’lëshohen nga institucionet e Kosovës, ne kemi paralajmëruar partnerët evropianë. Është vendim që çon në rrugë të gabuar, dhe të bën të kuptosh që disa akterë në BE s’janë të interesuar për integrim më të mirë të pakicave, por punojnë në drejtim të një ndarje të tyre. Ne mendojmë se është e gabuar”, ka deklaruar Gërvalla të mërkurën në konfernecë për media.