Ferguson: Shqetësuese që për Banjskën askush s’është përgjigjur
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Edward Ferguson ka deklaruar se mos veprimi për të çuar para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë ka shqetësuar Lodrën zyrtare.
“Kemi parë edhe incidente si sulmi në Banjskë, kur në shtator një grup personash me armë vranë një polic, filluan të qëllonin dhe një vit më vonë, askush nuk është përgjigjur për atë sulm. Mund të ju them se kjo ka ngjallur shqetësim dhe frustrim në Londër dhe përfaqësues tjerë në Evropë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një mënyrë për të reduktuar tensionet, në mënyrë që të gjithë të kthehen në dialog.
Ferguson ka thënë se në Ohër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq bënë një plan për normalizim, por ka thënë se ‘as për së afërmi nuk janë të kënaqur me përparimin’.
“Kemi parë pak përparime, që i përshëndesim, siç është njohja e targave të Kosovës nga Serbia. Kosova më në fund e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronën që i përket Manastirit të Deçanit. Britania e Madhe ka qenë shumë e përfshirë për të bërë presion që kjo të ndodhë. Por, duhet bërë edhe shumë që të vihet deri te stabilizimi dhe këtë e duam ne”, ka deklaruar Ferguson.
Ferguson, ka thënë se është fakt që qëndrimet e Serbisë dhe Britanisë së Madhe mbivendosen kur është fjala për statusin e Kosovës, por thekson se ka edhe gjëra për të cilat ka të njëjtin mendim.
“Ne e njohim Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Dhe është e qartë se ne nuk pajtohemi. Por ne pajtohemi, për shembull, që duhet të shohim përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar ndër të tjera ai në një intervistë për “Euronews Serbia”. /rtk/