Netanyahu e quan Iranin armik të Izraelit dhe SHBA-së në Kongresin amerikan
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti sot një fjalim të zjarrtë në Kongresin amerikan në Uashington, në të cilin bëri thirrje që SHBA-ja dhe Izraeli të qëndrojnë krah për krah për t’u përballur me Iranin.
Netanyahu mori duartrokitje të vazhdueshme kur doli në foltore për të folur në një seancë të përbashkët të Kongresit – dhe ligjvënësit vazhdimisht u ngritën në këmbë për ta duartrokitur gjatë fjalimit gati njëorësh.
Ai i përshkroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin si në një “udhëkryq historie” dhe se gjatë kësaj kohe të “përmbysjes” globale ata kishin nevojë për njëri-tjetrin më shumë se kurrë.
“Që forcat e qytetërimit të triumfojnë, Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku”, tha ai.
Më pas ai vlerësoi presidentin Joe Biden, me të cilin ka pasur një marrëdhënie të vështirë.
“Falënderoj presidentin Biden për mbështetjen e tij të përzemërt për Izraelin. Pas sulmit të egër më 7 tetor, ai me të drejtë e quajti Hamasin “të keqen e madhe”. Ai dërgoi dy aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme për të penguar përhapjen e luftës – dhe erdhi në Izrael për të qëndruar me ne gjatë momenteve tona më të errëta – një vizitë që nuk do të harrohet kurrë”, tha Netanyahu.
“Për Iranin, Izraeli është i pari, Amerika është e dyta. Pra, kur Izraeli lufton Hamasin, ne po luftojmë Iranin. Kur luftojmë Hezbollahun, ne po luftojmë Iranin. Kur luftojmë Houthis, ne po luftojmë Iranin. Dhe kur luftojmë Iranin, ne po luftojmë armikun më radikal dhe më vrasës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
“Armiqtë tanë janë armiqtë tuaj. Lufta jonë është lufta juaj. Dhe fitorja jonë do të jetë fitorja juaj”, tha Netanyahu. /atsh/