UEFA sërish dënon Shqipërinë
Euro 2024 ka mbaruar më 14 korrik, por masat ndëshkimore të UEFA-s vazhdojnë të jenë të pranishme dhe kësaj here në listë është edhe Shqipëria.
Organi më i lartë i futbollit evropian ka bërë të ditur se ka marrë masa ndaj Shqipërisë për shkak të ngjarjeve në ndeshjet Kroaci-Shqipëri dhe Shqipëri-Spanjë, ku objektiv i hetimit ishte sjellja “raciste, diskriminuese” e tifozëve shqiptarë.
VENDIMI: “Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 30,000 euro dhe t’i ndalojë t’u shesë bileta tifozëve të saj jashtë vendit për një (1) ndeshje, atë të radhës të kompeticionit të UEFA-s, për sjelljen raciste dhe diskriminuese të tifozëve të saj. Vendimi i përmendur për shitjen e biletave për tifozët do të jetë i pezulluar për një periudhë prove prej dy (2) vitesh.
Vendime të ngjashme janë dhënë edhe për Hungarinë(30 mijë euro), Austrinë(20 mijë euro), Slloveninë(30 mijë euro), Rumaninë(40 mijë euro), Kroacinë(50 mijë euro) dhe Serbinë(30 mijë euro).