“Rasti i Faton Hajrizit ende në mjegull – nuk kemi garanci për identitetin e viktimës”
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka folur sërish për rastin e Faton Hajrizit.
Gërvalla ka thënë se bashkëpunimi me Serbinë për këtë çështje është pothuajse inegzistente.
Ajo ka thënë se çdo gjë që ka ndodhur deri më tani në Serbi është në mjegull.
“Kemi qenë këmbëngulës që trupi i personit të vrarë kushdo qoftë ai t’i kthehet familjes për tu varrosur në Kosovë. Kemi shpërndarë të gjitha informacionet në kohë me të cilat kemi mundur të pajisemi. Kemi pasur një mostër të shenjave të gishtërinjve të një personi që pas verifikimit në Kosovë është konstatuar të jenë të shtetasit Faton Hajrizi, mirëpo nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë e as për ndonjë prej pretendimeve të tjera”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka shtuar se i kanë kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë në zbardhjen e këtij rasti.
“Deri më tani gjithçka që ka ndodhur në Serbi është në mjegull. Pa dashur të paragjykojë çka ka ndodhur në Serbi sepse jam e sigurt që nuk e dimë të gjithë të vërtetën. Kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike që të na ndihmojë në zbardhjen e kësaj ngjarje”, tha Gërvalla.
Ajo ka shtuar se duhet të jemi të kujdesshëm me cilat informacione po shërbehemi dhe cilat po na servohen.
“Natyrisht që avokati i familjes do të ketë mbështetjen institucionale jo vetëm në Kosovë por edhe me misionin tonë që kemi në Beograd”, ka thënë Gërvalla, duke shtuar se është e rëndësishme të dimë të vërtetën e asaj që ka ndodhur.