Osmani ia jep Medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit ‘Oda’
Presidentja Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur dje në Presidencë, ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit “Oda” për promovimin e vlerave muzikore si pjesë e gjeneratës së artë të rockut në Kosovë.
“Në emër të grupit, medaljen e ka pranuar Dukagjin Lipa, i cili e ka falënderuar presidenten Osmani për dekoratën”, njofton Presidenca e Kosovës.
Më tutje bëhet me dije se presidentja Osmani ka theksuar se “Oda”, sikurse edhe grupe të tjera të viteve ’80, ishin jo vetëm interpretues, por edhe katalizatorë të ndryshimeve shoqërore.
“Muzika e Odës është emblemë e identitetit kulturor dhe krenarisë për Kosovën. Krijimtaria muzikore e tyre vazhdon të jetë dëshmi e fuqisë transformuese të artit në kohë dhe periudha të ndryshme duke u shndërruar, po ashtu, në një mjet rezistence”, ka theksuar presidentja Osmani, shkruan rtk.
Medalja Presidenciale, grupit ‘Oda’ i është ndarë një vit më parë në një ceremoni në të cilën janë nderuar edhe rock grupe të tjera të asaj periudhe, sikurse edhe institucione dhe personalitete të tjera të cilat kanë kontribuar ndër vite.
“Vlen të theksohet se kjo ceremoni u mbajt në prag të fillimit të Sunny Hill Festival. Në pamundësi për të qenë prezente për shkak të agjendës ndërkombëtare, presidentja Osmani i përgëzoi z. Lipa, Dua Lipën dhe Sunny Hill Foundation për punën e shkëlqyer duke u uruar që ky edicion të jetë një tjetër sukses i jashtëzakonshëm”, përfundon njoftimi.