“Do na helmojnë ujin dhe prishin turbinat”, eksperti: Ja 20 skenarët si Serbia mund të sulmojë Kosovën
Policia e Kosovës konfirmoi të dielën (21 korrik) shpërthimin në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit, që sipas tyre erdhi nga një granatë dore.
Në momenti kur ka ndodhur shpërthimi në liqenin e Ujmanit ndodheshin qytetarë që kishin zgjedhur të pushonin, në këtë zonë. Por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Liqeni i Ujmanit konsiderohet pikë strategjike e rëndësishme për Kosovën, pasi aktualisht furnizon me ujë, një zonë prej rreth 4-5 komuna në Kosovë.
Për të folur për këtë temë, në një lidhje me Skype me studion e emisionit “Jetë Shqiptare” në RTSH 1, eksperti i sigurisë në Kosovë, Dritan Shala, u shpreh se liqeni i Ujmanit është një ndër motorët kryesor të ftohjes së turbinave të hidrocentralit që furnizon vendin me energji elektrike.
Gjithashtu eksperti Shala theksoi se kjo mund të jetë një tentativë për të vepruar në helmimin në ujin e pijshëm.
“Kemi mbi 20 skenarë të cilët janë në tavolinën e organeve tona të sigurisë, ka veprime konkrete, preventive një ndër ta mund të mbetet dëmtimi i ujit të pijshëm sepse liqeni i Ujmanit përpos që është një ndër motorët kryesor e ftohjes së turbinave të hidrocentralit qe furnizon me energji elektrike është dhe një burim që furnizon me ujë të pijshëm mbi 4-5 komuna dhe nga pjesa e sigurisë mendohet se është tentativë për të vepruar në helmimin në ujin e pijshëm,” u shpreh Shala. /rtsh/