Mjekët turq do të realizojnë 50 operacione për fëmijët në Kosovë

Mjekët turq do të realizojnë 50 operacione për fëmijët në Kosovë

50 operacione të fëmijëve në fushën e Kirurgjisë Plastike dhe Kirurgjisë Maksilofaciale që kanë lindur me probleme në buzë dhe hundë do të realizohen nga delegacion i mjekëve dhe stafit tjetër përcjellës nga Turqia në kuadër të Shoqatës “Interplast”.

Një gjë të tillë është bërë e ditur nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës përmes një postimi në Facebook.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, falënderoi shtetin turk për investimet e deritanishme dhe bashkëpunimin e ofruar.

“Ne si shtet kemi kaluar fazën emergjente me donacione dhe investime, populli mik na ka ndihmuar, kemi nevojë për ekspertizën e jashtëzakonshme nga shteti mik, prandaj, prania e profesorit dhe profesionistëve nga Turqia do të  ndihmojë 50 pacientë. Ajo që më gëzon është  se do kemi mundësi edhe të edukojmë stafin dhe  të zhvillohemi profesionalisht. Ky ishte hapi i parë i një bashkëpunimi që do ta vazhdojmë me Kirurgji Maksilofaciale dhe Kirurgji Plastike”, theksoi ministri Vitia, raporton rtk.

Ambasadori turk në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se Kosova ka nevojë për përvojën e mjekëve nga Turqia të cilët kanë numër më të madh të pacientëve dhe më shumë eksperiencë.

“Kosovën e shohim si vend mik dhe vëlla, ne mendojmë se është e natyrshme vëllazëria  dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Dua të falënderoj organizatën TIK-a, për realizimin e këtij projekti, por edhe ministrin Fikret Damka, që ka ndihmuar këtë projekt”, theksoi ambasadori Sabri Tunç Angılı.

Ministri i Zhvillimit Rural, Fikret Damka, nga komuniteti turk, ka thënë se lidhjen ndërmjet Kosovës dhe Turqisë dhe përkrahjen po mundohen të forcojnë edhe në fushën e shëndetësisë.

“Ne e kemi dizajnuar me kohë këtë ide, i falënderojmë që na ndihmuar po mundohemi që lidhjen e urës ta forcojmë  dhe  të bëjmë këtë edhe në shëndetësi,  ku ndarja e përvojës është me rëndësi”, tha Damka.

Profesori nga Turqia, Metin Yavuz, kirurg plastik dhe rekonstruktiv,  tha se kanë vlerësuar pacientët tek të cilët do të kryejnë.

“Do të kryejmë operacione tek të porsalindurit me probleme në buzë dhe hundë, këto raste nëse nuk kryhen deri 18 muaj shfaqen probleme që nuk mund të kryhen më vonë. Kemi planifikuar të kryejmë 20 operacione, por pas vizitave dhe kontrolleve do të kryejmë deri në 50 intervenime, përfshirë ato me anestezion lokal dhe të përgjithshëm”,  u shpreh ai.

Share This