Abdixhiku: 14 vjet më parë, GjND-ja vulosi pavarësinë dhe drejtësinë për Kosovën
Në përvjetorin e 14-të të konstatimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar këtë moment historik.
Abdixhiku theksoi rëndësinë e këtij vendimi për legjitimitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik.
“Më 22 korrik të vitit 2010, Kosova bashkoi njerëzit më profesionalë në bashkëveprim me miqtë strategjikë, për të dëshmuar legjitimitetin e të drejtës sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Ky vendim i shumëpritur dhe gjykim i drejtë ishte vulë përfundimtare e drejtësisë, e cila i mundësoi Kosovës kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes atyre shteteve demokratike”, tha Abdixhiku.
Ai përmendi rolin kyç të aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë gjatë kësaj periudhe sfiduese.
“Kosova, në gjithë këtë periudhë me sfida, ishte krah aleancës së pa rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë”, shtoi Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së shprehu gjithashtu krenarinë për rolin e partisë së tij në këtë proces historik.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet krenare në rolin e pazëvendësueshëm që luajti konkretisht në këtë proces, dhe në këtë rrugë të denjë të Kosovës,” përfundoi ai.