Prokuroria kërkon paraburgim për dy persona që keqpërdoruan kartela bankare
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për dy të pandehurit në lidhje me akte të dyshimta të keqpërdorimit të kartelave të bankës dhe vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve.
Të pandehurit B.T. dhe I.V., akuzohen për veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, raporton rtk.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë përdorur pa autorizim kartela bankare të llojit Master Card të një sistemi bankar ndërkombëtar, ashtu që kanë realizuar blerje online tek një biznes i Kosovës, duke iu shkaktuar dëm mbajtësve të këtyre kartelave. Po ashtu, të pandehurit, me dashje dhe me qëllim të shfrytëzimit pa autorizim ligjor të të dhënave të kartelave bankare të llojit Master Card, përmes aplikacionit “Telegram”, kanë siguruar të dhënat në mënyrë të kundërligjshme dhe më pas të njëjtat i kanë shfrytëzuar për të bërë blerje online nëpër biznese të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.