Nga “policia po e kryen punën dhe do ta kap brenda orësh”, deri te “kriminel: Çka thanë pushtetarët për Faton Hajrizin?

Nga “policia po e kryen punën dhe do ta kap brenda orësh”, deri te “kriminel: Çka thanë pushtetarët për Faton Hajrizin?

Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e një ushtari rus, u arratis për herë të nëntë në fillim të këtij muaji nga burgu.

Gjatë ditës së enjte, ai dyshohet të ketë vrarë një polic serb në Loznicë, derisa sot, u vra nga policia serbe. Çka tha pushteti në Kosovë gjatë gjithë kësaj periudhe?

Fillimisht, vlen të theksohet se nga arratisja e tij në Serbi, e deri sot kur u vra, nuk ka pasur ndonjë reagim nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ministrja e Drejtësië, Albulena Haxhiu – të dyve ndërkaq – po u kërkohet dorëheqja.

Çka kishte thënë Sveçla?

Një javë më parë, ministri Sveçla u pyet mbi këtë çështje, derisa i ishin përmendur edhe dy arratisje të tjera. Ai kishte folur edhe rreth deklaratave të Faton Hajrizit për të.

“Unë nuk e kapi askënd, janë institucionet që mirren me ta.” – ka thënë ai.

Siç deklaronte ai, nuk ishin tre të arratisur por vetëm një. Nuk ka ndonjë telash – thoshte Sveçla – pasi policia po kryen punën.

“Nuk janë tre persona të arratisur, një është arratisur. Tjerët nuk janë paraqitur para drejtësisë kur është kërku prej tyre. Policia e kryen punën e vet. Nuk ka najfar telashe.” – kishte thënë ai.

Çka thanë nga MD?

Një ditë pas deklaratës më lartë, zëvendësministri i Albulena Haxhiut, Blerim Sallahu në një konferencë për media, pas arratisjes së një personi tjetër, do të deklaronte që këto nuk janë “arratisje” por “largime”.

“Përkundër të arriturave dhe punës së vazhdueshme, këto ditë në njësi të tipit të hapur janë larguar dy të burgosur, të njëjtit kanë qenë shfrytëzues të vikendit, më lini të theksoj se në Republikën e Kosovës kemi dy tipe të institucioneve korrektuese, tipe të mbyllura me siguri të lartë, si dhe tipe të hapura ku të burgosurit kanë të drejta dhe privilegje të shumta. Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim.” – ishte shprehur ai, transmeton Nacionale.

Kurti

Në një konferencë për media gjatë së enjtes, kryeministri Albin Kurti u pyet mbi raportimet e mediave serbe se i dyshuari për vrasjen e policit është nga Kosova.

Megjithatë, shefi i Qeverisë tha se nuk ka informacione shtesë.

“Po ato informacione që i përmendet ju i kam marrë edhe unë sot në mëngjes. Nuk kam diçka shtesë, por organet tona të sigurisë e të rendit po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që t`i përcjellin me vëmendje në orët në vazhdim komunikatat e Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.” – ka thënë Kurti.

Mbrëmjen e kaluar ndërkaq, deputeti i pushtetit, Arbër Rexhaj deklaroi si vijon::

“Ai është një rast i izoluar, është një person i vetëm. Është një kriminel që ka ikë prej burgu, ka kërcënu zyrtar të institucioneve. Nëse krahasohet me Banjksën, ka qenë sulm i organizuar, i argumentuar e analizuar nga agjencitë tona të inteligjencës.

“Institucionet e Kosovës, me informacionet që i kam. Kur ka ikë ky prej burgu, i ka lajmëru shtetet fqinje se mund të ju vij nga dera. E kemi kry obligimin tonë, ne nuk jemi në Interpol, kemi dështu me u anëtarësu, rasti është i qartë.” – tha ai.

Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mbrëmjen e së premtes, dha deklarata rreth Hajrizit të cilat do të kritikoheshin shumë.

Duke folur rreth ikjes së Faton Hajrizit, numri dy i Qeverisë përmendi se Hajrizi kishte thënë se ”ndodhet në një vend të sigurtë”. Bislimi do të ngriste pikëpyetje edhe rreth ikjes së tij në Serbi, e jo në Shqipëri.

“Për Kosovën, personi që ka ikur është kriminel, person i dënuar për vepra penale, vendin e ka prapa grilave, në narrativën kosovare e ka vendin në burg. Por ajo që nuk po diskutohet është fakti që ky person ka ikë nga burgu, dhe ka trajtuar opsionet për ikjen në një vend të sigurtë, dhe ai ka thënë që jam në një vend të sigurtë, ai ka pasë opsione drejt Shqipërisë, me Shqipërinë kemi kalimin e integruar të kufirit, ku kalimi bëhet i lehtë dhe nuk kemi asnjë bazë ushtarake. Në anën tjetër, kemi Serbinë, vend armik që ka 48 baza, baza që operojnë përpara, dhe është kufiri që Serbia e ruan më së miri nga të gjithë kufijtë. Kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, ruhet më mirë se ata Ukrainës me Rusi”, tha ai.

Share This