MSH, thirrje për kujdes ndaj fëmijëve në pishina
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje prindërve që të marrin masat e nevojshme për sigurinë e fëmijëve në pishinat e hapura dhe të mbyllura (publike), ashtu edhe në pishinat familjare për të parandaluar dhe evituar rreziqet e mundshme.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, MSH thekson se larja e fëmijëve në pishina mund të bartë rreziqe për shëndetin e tyre në rast se nuk zbatohen disa masa sigurie.
“Këto rreziqe përfshijnë infeksione bakteriale, virale ose parazitare nga uji i papastër, irritimet e lëkurës dhe syve, djegiet nga dielli. Rrezik i shtuar për fëmijët janë rrëshqitjet, rëniet dhe deri tek mbytja, sidomos për ata fëmijë që ende nuk dinë të notojnë”, thuhet në njoftim.
Këshillat e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurinë e fëmijëve në pishina janë si më poshtë:
- Mbikëqyrjen e vazhdueshme që nënkupton se fëmijët duhet të jenë gjithmonë nën mbikëqyrjen e një të rrituri përgjegjës kur janë në pishinë;
- Mësimin e notit përmes inkurajimit dhe regjistrimit të fëmijëve në shkolla të notit për të siguruar që ata të mësojnë të notojnë në mënyrë të sigurt;
- Përdorimin e pajisjeve ndihmëse për fëmijët që nuk dinë të notojnë mirë, si krahët ndihmës të mbushur me ajër, jelekët e shpëtimit, ose rripat ndihmës, të përshtatura sipas moshës dhe peshës së fëmijës;
- Rritjen e sigurisë së pishinës duke kontrolluar rregullisht cilësinë e ujit për të shmangur infeksionet dhe sëmundjet, dhe duke siguruar sisteme të mira të filtrimit dhe dezinfektimit për të mbajtur ujin e pastër;
- Kujdesin për sipërfaqet e rrëshqitshme, duke i mësuar fëmijët të ecin ngadalë dhe të mos vrapojnë rreth pishinës për të shmangur rrezikun e rënieve, si dhe mbajtjen e sipërfaqeve rreth pishinës të thata;
- Mbrojtjen nga dielli përmes përdorimit të kremit diellor me faktor mbrojtës të lartë dhe riaplikimit të rregullt, sidomos pas daljes nga uji, veshjen e fëmijëve me rroba mbrojtëse nga dielli si bluza me mëngë të gjata dhe kapela;
• Përdorimin e syzeve të notit për të mbrojtur sytë e fëmijëve nga irritimet e shkaktuara nga klori dhe kimikatet e tjera në pishinë, dhe larjen e fëmijëve me ujë të pastër pas notit për të hequr çdo kimikat të mbetur në lëkurë.