Lazio thyen Napolin në “Diego Armando Maradona”
Napoli-Lazio mbyllet me rezultatin 1-2, me kampionët e Italisë që pësojnë humbjen e parë të sezonit dhe skuadrën kryeqytetase që siguron pikët e parë.
Sfida e vlefshme për javën e tretë të Serie A ishte shumë e luftuar, me ekipin e Sarrit që mori avantazhin në minutën e 30’ me Luis Alberto.
Napoli u kundërpërgjigj shpejt dhe vetëm dy minuta më pas, më saktë në minutën e 32’ Zielinski realizoi golin e barazimit, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në “paqe”.
Në fraksionin e dytë miqtë u treguan edhe më kërkues dhe në minutën e 52’ Kamada realizoi golin e dytë Lazion, që rimori avantazhin.
Rrugën drejt rrjetës e gjetën edhe Zaccagni në minutën e 67’ dhe Guendouzi në minutën e 71’, por pas verifikimit në VAR të dy u anuluan për pozicion të parregullt.
Ndërkohë vlen të theksohet se afrimi i fundit i Lazios, Guendouzi, që u fut në fushën e lojës në minutën e 65’, tregoi një formë shumë të mirë.
Pas këtij takimi Napoli renditet në vend të katërt me gjashtë pikë, teksa Lazio renditet në vend të 12-të me tre pikë.