Atentati ndaj Trump, autori kishte lëndë shpërthyese në makinë. Ai u pikas nga policët, por nuk u parandalua
Autori i atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump kishte lëndë shpërthyes brenda makinës dhe banesës së tij. 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks, nga Bethel Park, Pensilvani u qëllua për vdekje nga agjentët e Shërbimit Sekret.
Autoritetet thonë se përdorën armën për të ndihmuar në përcaktimin e identitetit të autorit, pasi ai nuk kishte dokumente identifikimi me vete.
Gjithashtu sulmuesi u pa me dyshim jashtë tubimit nga policia vendase, të cilët njoftuan përmes radios Shërbimin sekret që ta kishte nën vëzhgim. Sipas CNN, përtej paralajmërimeve dhe denoncimeve të njerëzve që ishin në tubim dhe e panë atë në çati me armë, ngjarja nuk u arrit të parandalohej nga autoritetet.
Nga të shtënat me armë ish presidenti Trump mbeti i plagosur në veshin e djathtë, ndërsa humbi jetën një pjesëmarrës në miting dhe u plagosën dy të tjerë. Menjëherë pas të shtënave autori u qëllua nga qitësit, ndërsa në SHBA tashmë është ngritur pyetja dhe kërkohen hetime se pse Shërbimi Sekret nuk reagoi më herët. /rtsh/