Pas “zbulimit” të vajit në tepsi, Blerim Sallahu lëshon ‘perlen’ e fundit: Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj nuk janë arratisur, por janë larguar
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka folur sot në një konferencë për media për ikjet e fundit të burgosurve nga burgjet, duke u arsyetuar se kanë ndodhur në qendra korrektuese të tipit të hapur.
Ai ka thënë se Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj nuk janë arratisur nga burgu por janë larguar.
Sipas Sallahut, kur ka ikje nga institucioni i tipit të hapur quhet “largim” dhe jo “arratisje” pasi sipas tij nuk ka mbikëqyrje të sigurisë së lartë për shkak të privilegjeve që të burgosurit gëzojnë pas “sjelljeve të mira” që tregojnë, raporton reporteri.net.
Ai ka thënë se këto institucione nuk i nënshtrohen masave të larta të sigurisë, sepse qëllimi është realizimi i programeve avancuese për të burgosurit që i nënshtrohen rehabilitimit dhe integrimit.
“Kemi tipe të mbyllura ku siguria është e lartë dhe tipe të hapura ku ka privilegje të shumta, ku si shkak i sjelljeve të mira janë të gatshëm për riintegrim. Largimi nga institucioni i mbyllur nënkupton arratisje, nga i hapur konsiderohet largim. Vlen të theksohet se të njëjtit që janë larguar nga institucioni i tipit të hapur i humbin të gjitha privilegjet që kanë pasur deri më tani dhe kur kapen kthehen në të mbyllur. Do iniciohet vepër penale e re”, ka deklaruar Sallahu.
Ai ka thënë se ikjet kanë ndodhur në të kaluarën por edhe mund të ketë edhe në vazhdimësi, dhe sipas tij kjo ndodh sepse këto institucione nuk i nënshtrohen masave të larta të sigurisë.
“Është me rëndësi se largimi nga qendra korrektuese të tipit të hapur, ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në vazhdimësi, sepse këto institucione nuk i nënshtrohen kontrollit dhe masave të larta të sigurisë sepse qëllimi i tyre është realizimi i programeve avancuese për të burgosurit që i nënshtrohen rehabilitimit dhe integrimit në shoqëri”, ka thënë Sallahu.
Ai ka thënë se pas ngjarjeve të ndodhura së fundi, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi ta marrin raportin e Inspektoratit do të marrin vendimet adekuate.
“Inspektorati i MD është në vendngjarje dhe sapo të marrim raportin, do të merren vendimet adekuate”, ka thënë Sallahu.
Kujtojmë se në një paraqitje për media Sallahu dy vjet më parë kishte thënë se “niveli i shpejtësisë së punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe cilësisë gjithashtu, mund të krahasohet me nivelin e shpejtësisë të shpërndajres së vajit në tepsi”.
Kujtojmë se dje u arratis nga burgu Ujkan Metaj kurse ditë më parë Faton Hajrizi. Ky i fundit në paraqitjen e parë në rrjetet sociale pas arratisjes ka deklaruar se i është bërë zullum, prandaj është arratis nga burgu, ndërsa ka thënë se gjendet jashtë Kosovës.