Temperaturat ekstreme, punëtorët të pambrojtur
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka reaguar lidhur pas temperaturave të larta dhe rrezikut për punëtorët.
BSPK-ja thekson se derisa temperaturat vazhdojnë të rriten, siguria dhe mirëqenia e punëtorëve të ndërtimit janë në rrezik më të madh se kurrë më parë.
“Pak ose aspak po zbatohen masa gjithëpërfshirëse për të mbrojtur nga rreziqet e nxehtësisë ekstreme fuqinë tonë punëtore të përkushtuar. Nuk mjaftojnë programet dhe fjalët për të përmirësuar kushtet e punës në temperatura ekstreme kur punëtori duhet të punojë në goditje të drejtpërdrejta të rrezeve të diellit. Puna nën rrezet e diellit këto ditë vape po i godet punëtorët e ndërtimit, të ndërtesave dhe rrugëve. Protokollet për monitorimin e ekspozimit ndaj nxehtësisë, dhe udhëzimet për menaxhimin e sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë e drejtpërdrejtë janë të pakta dhe punëtori është i pambrojtur”, thuhet në reagim.
BSPK-ja thekson se punëtorëve u mungojnë pajisjet e duhura mbrojtëse dhe veshja e përshtatshme për punë në kushte ekstreme, dhe ata nuk kanë fare mbrojtje nga dielli i ashpër dhe temperaturat e larta.
“Punëtorët janë të shtyrë të punojnë në piskun e vapës dhe nuk kanë mundësi të përshtatin orarin e punës në pjesët më të freskëta të ditës, siç janë mëngjeset e hershme dhe mbrëmjet. Ky rregullim është thelbësor për ruajtjen e shëndetit dhe produktivitetit të punëtorëve tanë. Ende nuk janë bërë ‘detyruese; për punëdhënësit kontrollet e rregullta shëndetësore të punëtorëve, po as monitorimi i temperaturës së trupit dhe shenjave vitale, dhe kjo i mbetet lajmeve kur ndodhin incidentet e lidhura me nxehtësinë dhe temperaturat e larta – po atëherë gjithçka është vonë”, thuhet në reagim.