AKB-ja: 57% të qytetarëve do të shkojnë në pushime verore
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë një studim hulumtues se sa qytetarë të Kosovës do të shkojnë këtë vit në pushime verore, ku i marrin paratë dhe ku do të shkojnë.
Nga ky studim rezulton se 57% të qytetarëve të Kosovës do të shkojnë në pushime verore, 24% as që kanë në plan pushimin veror, 13% ndoshta, kurse 6% nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.
Në pyetjen tjetër ku do t’i marrin paratë për pushime, rezulton se 40% nga kursimet, 30% nga kreditë, 25% nga huazimet, 5% nuk janë përgjigjur.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së thotë se nga kjo mund të konstatojmë se vetëm 57% e qytetarëve të Kosovës e kanë mundësinë të shkojnë në pushime, kurse 43% nuk e kanë këtë mundësi për pushime edhe pse kanë nevojë, kurse nga 57% që e kanë këtë mundësi, 55% e tyre shkojnë me paratë nga burimet e borxhit dhe huazimet.
AKB-ja ka bërë me dije se në ditët e ardhshme do të publikohet pjesa e dytë se ku po shkojnë për pushime kosovarët në verën 2024 dhe sa para do t’i harxhojnë.