Zjarret rrezikojnë Gjirokastrën, ndërhyjnë zjarrfikësit dhe ushtria
Prej disa ditësh në kullotat në lartësitë e Malit të Gjerë kanë qenë aktive disa vatra zjarri, ndërsa flakët po përparojnë me shpejtësi në drejtim të Gjirokastrës dhe rrethinave.
Orët e para të ditës së premte zjarrfikës, efektiva të ushtrisë dhe vullnetarë kanë ecur rreth 4 orë me këmbë për të nisur operacionin për shuarjen e tyre.
Vatra më problematike e zjarrit ka hyrë nga territori i Bashkisë Delvine dhe po avancon në drejtim të qytetit të Gjirokastrës.
Në operacionin për shuarjen e saj janë përfshirë 11 forca të efektivit zjarrfikës Gjirokastër, 34 forca vullnetare të Bashkisë Gjirokastër dhe 50 efektivë të ushtrisë. Zjarri ka një shtrirje rreth 2 km dhe për shkak të terrenit të thyer po ndërhyhet me pompa shpine dhe mjete rrethanore për shuarjen e tij, raproton Euronews Albania.