Haxhiu thotë se ligji për KPK-në do ta riorganizojë këtë institucion
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas një maratone të shoqëruar me jo pak sfida e pengesa, më në fund votohet versioni i ri i ndryshimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ministrja ka shkruar në Facebook se reforma e shumëpritur, do ta riorganizojë Këshillin Prokurorial me eliminim të korporatizmit dhe grupeve klanore në Këshill, e me rritje të llogaridhënies, integritetit dhe profesionalizmit në sistem.
“Ndryshimet e votuara sot në lexim të dytë në Kuvend, janë bërë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbetemi të përkushtuar e të angazhuar në rrugën tonë reformuese, për një sistem llogaridhënës e profesional, të besueshëm dhe të pandikueshëm, e të qasshëm për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Haxhiu.