Konjufca: Deklarata për terroristë, për të njoftuar ndërkombëtarët
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se deklarata e tij, dhënë ditë më parë, për trajnime të grupeve terroriste në Serbi dhe rrezikun që ata mund të destabilizojnë Kosovën, nuk ka pasur për qëllim frikësimin e qytetarëve, por për të njoftuar bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të ndëshkohet Serbia.
“E di gjithë shoqëria jonë, e di e gjithë bashkësia ndërkombëtare se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, që nuk ka hequr dorë kurrë. Por në të njëjtën kohë, Kosova kurrë nuk ka qenë më e përgatitur për t’iu përgjigjur çfarëdo lloj sfidave të sigurisë. Kështu që populli i Kosovës duhet të jetë i sigurt”, ka thënë Konjufca.
Kryeparlamentari pohoi se askush nuk i thotë këto deklarata për të frikësuar dikë, as për të shkaktuar ndonjë panik.
“Populli i Kosovës është shumë i qetë, populli i Kosovës beson në shtet, populli i Kosovës beson në institucionet tona efektive për t’iu kundërvu çfarëdo tendence të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë. Se ka grupe që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës, ne nuk mundemi të gënjejmë e as të mashtrojmë dikë, se ato ekzistojnë dhe janë të strehuara në Serbi”, tha tutje Konjufca.
Kurse sa i përket territorit brenda Kosovës, situata kurrë nuk ka qenë më në kontroll. Ndërsa grupe brenda Kosovës që mund të destabilizojnë vendin kurrë nuk kanë qenë më të dobëta dhe kanë në shpartallim e sipër.
“Ndërkaq grupet që janë të strehuara në Serbi, ato ekzistojnë dhe nga institucionet e sigurisë ne njoftohemi në hollësi për aktivitetet e tyre”, ka thënë Konjufca.
Të dhënat që i marrim nga ta ne i themi jo për të shkaktuar frikë por për të kuptuar më mirë të vërtetën. Dhe ne themi këtë për bashkësinë ndërkombëtare, që duhet ta ndëshkojnë Serbinë.
Për deklaratën ë O’Brien, se Kosova ka të drejtën për ta mbrojtur veten nga sulmet e Serbisë, Konjufca the se ishte deklaratë shumë e mirë, duke thënë se kjo shpreh mirëkuptimin ndaj asaj që institucionet e Kosovës e bëjnë, të cilat nuk janë kundër asnjë komuniteti që jetojnë këtu, përkundrazi,m shtoi Konjufca, ato janë demokratike dhe zbatojnë vendimin e ligjit.
“E kush do të dalë përballë institucioneve dhe me dhunë t’i sfidojnë ato ne do të veprojmë sipas ligjeve”, tha Konjufca, teksa shtoi se e tillë është qasja e Kosovës, e cila ka nevojë të mirëkuptohet nga bashkësia ndërkombëtare.
“Kjo është të konsolidosh shtetin, ta forcosh sovranitetin dhe vendosjen e sundimit të ligjit edhe në atë pjesë që nuk ka ekzistuar për 24 vjet”, tha Konjufca.
Kurse lidhur me deklaratën e të parës së shtetit, Osmani, se na duhet garancion për themelimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe, Konjufca tha se kjo nënkupton një lloj garancie që të mos keqpërdoret nga Serbia e që të mos jetë një nivel i mesëm i pushtetit institucional në Kosovë.
Ai më tej tha se Serbia gjithnjë befason por të keq, duke vënën në dukje emërimin e Vulinit si zëvendëskryeministër të qeverisë serbe, njeri i cili është shumë i afërt me Putinin.
“Një Serbi e tillë ku do të kishte një influencë në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ne jemi kundër kësaj”, tha mes tjerash Konjufca, duke vënë theksin se në këtë pikë nuk ishin garancitë e nevojshme nga ndërkombëtarët. /rtk/