Dëshmitari thotë se pas formimit të Qeverisë së Përkohshme aspektet ushtarake vijuan të mbesin pjesë e UÇK-së

Dëshmitari thotë se pas formimit të Qeverisë së Përkohshme aspektet ushtarake vijuan të mbesin pjesë e UÇK-së

Dëshmitari Bislim Zyrapi gjatë dëshmisë së tij në Hagë pohoi se është ende i qëndrimit që pas krijimit të Qeverisë së Përkohshme, aspektet ushtarake kanë vijuar që të mbesin pjesë e UÇK -së.

Një gjë të tillë dëshmitari e kishte thënë edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, gjë të cilën e pohoi edhe sot në sallën e gjyqit duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq, raporton Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ai pohoi se qëndron fakti ashtu siç e kishte thënë që kur Fatmir Limaj kaloi në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk e kishte më në dorë komandën e policisë ushtarake, sepse kjo njësi vijoi të qëndronte nën urdhrat e UÇK-së.

Zyrapi pohoi se deri sa është bartur në Qeverinë e Përkohshme, Sokol Dobruna i ka raportuar komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çekut.

“Po, deri sa nuk është bartur në Qeverinë e përkohshme”, tha ai.

Pas funksionit të tij në UÇK dëshmitari tha se shkoi të punonte si asistent në Ministrinë e Mbrojtjes e që më pas pohoi se ky dikaster bënte pjesë në Qeverinë e Përkohshme dhe jo në UÇK.

“Ashtu është”, tha dëshmitari duke pohuar se nuk mund të emërohej në këtë pozitë nga komandanti i ri i UÇK-së, Agim Ceku pasi Qeveria e përkohshme nuk ishte nën pushtetin e tij.

Në një përgjigje për ZPS-në se a bënte kontroll Qeveria e përkohshme mbi UÇK-në, dëshmitari kishte thënë se me rregulla do të duhej të bëhej një gjë e tillë.

“Përgjigja juaj është kjo: Sipas rregullave kështu duhet të kishte qenë por nuk e di se deri ku kanë arrit me e bë një gjë të tillë”, tha Luka Mishetiq duke e lexuar përgjigjën e dëshmitarit për ZPS-në.

Ndërsa, në përgjigjen e tanishme dëshmitari tha se shumë problem ka qenë që Shtabi i Përgjithshëm të  ketë ndikim mbi njësitë e lëre më Qeveria e Përkohshme.

“Nuk është çështja vetëm e dyshimit se edhe mundësia nuk është leju që kanë mujtë në atë kohë që Qeveria e Përkohshme të ketë një ndikim. Shumë problem ka qenë që Shtabi i Përgjithshëm të ketë ndikim në njësitë e leje ma Qeveria e Përkohshme e cila ishte vetëm në fillim të formimit për arsye të ofensivave të rrepta që ishin, lëvizjet e forcave të tona dhe normalisht  mundësia e komunikimit në njësitë më poshtë nuk ka mujtë të jenë as nga Shtabi, po as nuk ka mujtë të ketë ndikim as Qeveria e Përkohshme në atë kohë pasi folim për periudhën kohën prej prill-maj në atë drejtim. Faktikisht prillin kur unë kam qenë brenda”, tha ai.

Dëshmitari tha se nuk është në dijeni për përbërjen e plotë të anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme por vetëm një pjese të tyre. Ai shtoi se ishte në dijeni se në formacionin e saj kishte nga parti të ndryshme politike.

“Nuk ishin me një vend. Ishin të shpërndarë në shumë vende, disa në Kosovë disa në Shqipëri, disa jashtë. Po anëtarët e Qeverisë së përkohshme në atë kohë, po foli për periudhën në prill, kanë qenë pak ata që kanë qenë brenda, grup shumë i vogël”. ”, tha dëshmitari kur u pyet se ku qëndronin anëtarët e Qeverisë së Përkohshme.

Share This