Jep dorëheqje drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj – Do të mbahet mend për largimin e qindra punëtorëve
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar se Zana Spahiu është emëruar ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së.
Emërimi i Spahiut ka ardhur pas dorëheqjes së Shkumbin Ahmetxhekajt nga kjo pozitë.Përmes një komunikate për media, Bordi i RTK-së ka bërë të ditur se Ahmetxhekaj kishte paraqitur dorëheqjen e tij me datë 23.05.2024. Por, sipas kërkesës së tij dhe miratimit të Bordit “dorëheqja do të ishte efektive nga data 08.07.2024, në mënyrë që të kryhen punët që kanë qenë në proces”.
NJOFTIMI I BORDIT TË RTK-SË:
Pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, z. Shkumbin Ahmetxhekaj, Bordi i RTK-së ka emëruar znj. Zana Spahiu në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së.Znj. Spahiu është e diplomuar në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti Juridik. Nga viti 2010 ajo filloi punën në RTK si juriste, derisa në vitin 2022 u zgjodh udhëheqëse e zyrës Ligjore në RTK. Ajo ka mbi 14 vjet përvoje pune në fushën ligjore.Ky vendim i bordit ka ardhur pasi që me datën 23.05.2024 z. Shkumbin Ahmexhekaj ka paraqitur dorëheqjen e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Sipas kërkesës dhe përcaktimit nga ana e tij, dorëheqja do të jetë efektive nga data 08.07.2024, gjë për të cilën ka marrë edhe dakordimin e Bordit të RTK-së në mënyrë që të kryhen punët që kanë qenë në proces, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së.Bordi i RTK-së fillimisht e kishte emëruar z. Ahmetxhakaj ushtrues të detyrës së drejtorit të përgjithshëm më 19 janar 2022, pas shkarkimit të ish-drejtorit z. Kastrati, ndërkaq pas një procesi transparent dhe meritokratik, ai është zgjedhur dhe emëruar më 20.06.2022 drejtor i përgjithshëm i RTK-së.Bordi i RTK-së falënderon z. Ahmetxhekaj për bashkëpunimin e deritanishëm.
Me z. Ahmetxhekaj Bordi ka pasur një bashkëpunim korrekt, ndërkaq javë më parë ka pasur mospajtime dhe qasje të ndryshme lidhur me rastin e dhunës psikike që ka ushtruar drejtori i radios z. Arsim Halili ndaj disa grave në RTK, veçanërisht ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore. Bordi ka pritur që drejtori i përgjithshëm ta trajtojë këtë rast konform përgjegjësive të tij. Bordi rithekson që dhuna psikike dhe çfarëdo lloj presioni i ngjashëm nga kushdo ndaj kujtdo, janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen në RTK.
Bordi i RTK-së do të vazhdojë të punojë në vazhdimësi për ruajtjen e pavarësisë dhe profesionalizimit të RTK-së.
Bordi i RTK-së do të vazhdojë përkushtimin për progresin në RTK dhe do të angazhohet në kryerjen e reformës në RTK. /EO/