Ukraina thotë se mbrapsi sulme ruse me dronë në katër rajone
Kundërajrorët ukrainas i kanë zmbrapsur sulmet e reja ruse me dronë dhe me raketa në disa rajone mëngjesin e së dielës, tha Forca Ajrore e Ukrainës.
“Armiku sulmoi me dy raketa balistike të tipit Iskander-M, dhe me 13 dronë të llojit Shahed”, shkroi Forca Ajrore në Telegram.
Sipas saj, 13 dronë u rrëzuan në rajonet Kirovohrad, Harkiv, Sumi dhe Poltava.
Edhe të shtunën, Forca Ajrore e Ukrainës tha se zmbrapsi një valë sulmesh ruse me dronë në 12 rajone ukrainase.
Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.
Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian ka nisur edhe negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në radhët e veta.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në Telegram se raketa e saj Iskander i ka shkatërruar dy hedhës të kundërajrorit Patriot dhe një stacion radari Giraffe në fshatin Juzhin në rajonin e Odesës.
Pretendimi rus nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Më 5 korrik, trupat ruse i hodhën dy bomba në qytetin Selidove në lindje të rajonit Donjeck, duke i vrarë së paku pesë njerëz dhe duke i plagosur tetë të tjerë, sipas shefit të administratës ushtarake të këtij rajoni, Vadym Filashkin.