Rama: Raportimet për keqpërdorim të Facebookut janë të pavërteta
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka hedhur poshtë akuzat e bëra në Klan Kosova, ku u raportua se ai keqpërdori rrjetin social Facebook për të fituar para në mënyrë të kundërligjshme.
“Dua të sqaroj për publikun se kjo nuk është e vërtetë. Faqja ime në Facebook është e kategorizuar si “Public Figure” (Figurë Publike) por unë asnjëherë nuk kam aplikuar për “In-Stream Ads” (Reklamat gjatë postimeve), nuk kam bërë monetizim dhe nuk kam vendosur të dhënat e mia bankare për të përfituar financiarisht nga Facebook. Bashkëngjitur janë dhënë një numër i fakteve që dëshmojnë se raportimet nga Klan Kosova janë të pavërteta. Prandaj, lus qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të vazhdueshme të televizionit Klan Kosova kundër kryeqytetit dhe kundër meje, të cilat kanë filluar pas miratimit të Planit Rregullues të Lagjes Kalabria me 3 qershor 2024″, thuhet në reagimin e Ramës.