Për gjashtë muaj u larguan 81 infermierë, konkursi në QKUK shpresë për ndalje të migrimit

Për gjashtë muaj u larguan 81 infermierë, konkursi në QKUK shpresë për ndalje të migrimit

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK), ka lëshuar 174 licenca të pa plastifkikuara, të cilat shërbejnë për fillimin e dokumentacionin për largim nga vendi, ndërsa ka lëshuar 81 vërtetime të kodit etik për infermierë të cilët veçse janë larguar nga Kosova.

Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryetarja e OIK-ut, Nexhmije Gori.

E hapja e konkursit për rreth 200 infermierë, është shpresë se do ta ulë ndjeshëm dukurinë për largim nga vendi. Gori ka thënë se do ta zbusë kërkesën e komunitetit të tyre për të lëshuar vendin.

“Ju e theksuat se konkursi në QKUK tashmë është i hapur dhe ne e mirëpresim. Natyrisht që është një punë e shkëlqyer e cila do të bëhet, do të zbut kërkesat e pacienteve, se ne në rend të parë kemi në fokus pacientin e natyrisht edhe komunitetin tonë i cili ka qenë mjaftë i ngarkuar me punën nëpër sistemin shëndetësor të Kosovës. Kjo punë do të zbus, shpresoj edhe kërkesat e komunitetit për ta lëshuar vendin. Natyrisht sa më shumë që të rritet numri i punëtoreve dhe vendet e punës të rinjtë tanë do të shërbejnë në vendin ku janë shkolluar e edukuar e t’i shërbejnë pacientëve tanë duke mos shpresuar që vendet e rajonit të na marrin punëtoret shëndetësor siç është në trend në vendin tonë”.

“Numri i infermiereve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor po rritet dita e ditës më kërkesat e tyre. Në gjashtë mujorin e parë kemi 174 licenca të pa plastifkikuara, ku punëtorëve shëndetësor ju nevojitet kur ata fillojnë me dokumentacionin e tyre nëpër ambasada. Ndërsa tani më 81 vërtetime janë të lëshuara të kodit etik, çka do të thotë se tashmë 81 punëtorë nga Kosova veç i kanë filluar punën në vendet përreth”, ka thënë Gori.

Gori ka thënë se ikjen e infermiereve nga vend e  ndalon hapja e vendeve të reja të punës, e po ashtu stimulimi kryesor që do t’i ndalonte ata që të kërkonin punë në Evropë, sipas saj është ngritja e pagës.

“Kërkesat janë duke filluar prej kushteve të punës, pagës, ngarkesës në punë, ndërrimeve të natës, festave sigurisht që edhe për një jete më të mirë, këto janë kërkesat që i ka komuniteti ynë. Hapja e vendeve të reja të punës, do ta zbuste sigurisht një ikje të tillë, ngritja e pagës, sigurisht se paga është njëra prej stimulimeve më të mëdha, ngarkesa në punë me hapjen e vendeve të reja të punës sigurisht që numrin i punëtoreve do të jetë më i madh dhe puna do të jetë me e lehtë. Me hapjen e vendeve të punës ata po e sigurojnë një pagë sado të vogël për familjen edhe rrethin e vetë”, ka thënë ajo.

Gori në këtë intervistë ka folur edhe për publikimin numrit të dytë të revistës së OIK-ut “Shëndeti dhe Kujdesi Infermieror”.

“Tashmë numri i dytë i revistës së OIK-ut, ‘Shëndeti dhe Kujdesi Infermieror’, vetëm është publikuar edhe të gjithë mund të kenë qasje në faqen Odës natyrisht edhe në mënyrë fizike. Është një punë e cila po promovohet edhe një punë që po dokumentohet për breza të ardhshëm. Revista tashmë numrin i dytë flet për kongresin i cili në Kosovë mbledhin 10 mijë profesionistë shëndetësor vendor dhe ndërkombëtar, ka punime shkencore, shkruhet për punëtoret shëndetësor gjatë luftës, për përvojat e tyre e shumë të tjera”, ka thënë ajo. /EO/

Share This