Malishevë, bllokohet rruga nga Stacioni i Policisë për shkak të asfaltimit
Komuna e Malishevës përmes një komunikate ka njoftuar se, të shtunën, do të bllokohet për qarkullim të automjeteve rruga nga Stacioni i Policisë, që vazhdon përreth zonës së varrezave të qytetit deri te kyçja me rrugën afër gjykatës në Malishevë.
Arsyeja e bllokimit të rrugës është fillimi i procesit të asfaltimit.
Sipas njoftimit kjo rrugë do të jetë e bllokuar nga ora 06:00 deri në përfundimin e tërësishëm të procesit të asfaltimit të kësaj rruge gjatë ditës së nesërme.
Nga Komuna e Malishevës kërkohet mirëkuptim nga qytetarët dhe bizneset për vështirësitë që do të krijohen në qarkullim për shkak të mbylljes së domosdoshme të kësaj rruge në këtë fazë të punimeve.